Si mund të denoncoj korrupsionin?

Ju mund të denonconi korrupsionin duke përdorur faqen unike për denoncimin www.stopkorrupsionit.al. Në këtë faqe zgjidhni fushën, së cilës i përket denoncimi juaj, dhe pastaj plotësoni formularin përkatës.

Kush mund të denoncojë?

Në këtë faqe mund të denoncojë raste të korrupsionit çdo qytetar, shqiptar apo i huaj, në emrin e tij/saj personal, në emër të një grupi, apo në emër të një organizate, institucioni, ose biznesi.

Si mund ta kuptoj nëse një nëpunës publik po bën korrupsion?

Korrupsioni mund të marrë shumë forma, por disa nga situatat më tipike të akteve korruptive ndodhin në rastet kur:
-  një zyrtar publik përdor ose përpiqet të përdorë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, informacionet, pushtetin ose burimet që ai ka për arsye të pozitës së tij/saj, për përfitim apo premtimin e përfitimit personal ose të të tjerëve;
- një zyrtar publik vepron pandershmërisht, pa të drejtë ose shkel besimin e publikut duke kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij;
- një qytetar ndikon ose përpiqet të ndikojë që një zyrtar publik të përdorë pozicionin e tij ose të saj në një mënyrë të padrejtë, të njëanshme apo në shkelje të besimit të publikut.

Sjellja e korruptuar nuk është gjithmonë e lehtë për t’u kuptuar apo për t’u vërtetuar. Ne inkurajojmë raportimin e rasteve të korrupsionit kurdo që ekziston dyshim i arsyeshëm se sjellja e korruptuar ka ndodhur. 

Çfarë të dhënash duhet të kem që të bëj një denoncim?

Emri dhe të dhënat e kontaktit (jo e detyrueshme)
Çdokush ka të drejtë të bëjë një denoncim anonim, por kjo mund të ndikojë në efektivitetin e hetimit dhe verifikimit të çështjes apo në marrjen e detajeve të tjera, të cilat institucionet që do të verifikojnë rastin për të cilin keni bërë denoncimin, mund ta kenë të vështirë t’i gjejnë.

Emrat e ministrive, agjencive dhe zyrtarëve të sektorit publik të përfshirë në sjelljen korruptive, për të cilën po denonconi
Ju lutemi që të shënoni emrat dhe pozicionet e zyrtarëve të përfshirë në sjelljen korruptive, në qoftë se i dini.

Një përmbledhje të çështjes
Përfshini emrat, datat përkatëse, vendet dhe çdo informacion tjetër relevant. Lutemi që të dhënat të jenë sa më konkrete.

Dëshmi të dokumentuara
Përfshini detaje mbi dokumente ose informacione të tjera që mund të ndihmojnë në vlerësimin e denoncimit.

Qytetarët dhe kompanitë e përfshira
Në se ka, siguroni emrat, detajet e kontaktit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve dhe kompanive të përfshira në aktin korruptiv që po denonconi.

Kush e mbikqyr mirëfunksionimin e kësaj faqeje apo trajtimin e ankesave?

Kjo faqe mbikqyret nga Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, nga punonjës të caktuar nga Kryeministri, si dhe nga punonjës të caktuar në çdo ministri.

Si procedohet me denoncimet, në të cilat shënohet emri i denoncuesit?

Denoncimet në këtë portal shkojnë direkt tek zyrtari përgjegjës në institucionin përkatës (për shembull, një denoncim për korrupsion në një shkollë shkon tek punonjësi përgjegjës për denoncimet në këtë portal në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve). Këtu fillon menjëherë kontrolli dhe verifikimi i brendshëm i rastit që ju keni denoncuar, sipas procedurave për trajtimin e denoncimeve.

Kush do të më përgjigjet?

Siç e thamë më lart, denoncimi juaj shkon tek punonjësi përgjegjës për këtë portal në ministrinë apo institucionin përkatës. Nëse keni shënuar adresën e emailit, ju do të kontaktoheni lidhur me fillimin e verifikimit të denoncimit, dhe, nëse ka nevojë për më shumë informacion, do të kontaktoheni më pas nga zyrtarët përgjegjës për ndjekjen e denoncimeve. Ju do tënjoftoheni, gjithashtu, për mbylljen e kontrollit të denoncimit ose për ndjekjen e mëtejshme pranë organeve të tjera.

Sa kohë do të duhet që të marr një përgjigje?

Afati i përgjigjes për praktikat korruptive që denoncohen përmes portalit www.stopkorrupsionit.al është deri në 30 ditë. Ky afat fillon që nga dita e regjistrimit të denoncimit në këtë portal. Për raste të veçanta dhe me rëndësi, afati për përgjigjen mund të shtyhet edhe 5 (pesë) ditë të tjera.

Nëse vendos të bëj një raportim apo denoncim anonim, a do të marr përgjigje për trajtimin e denoncimit?

Në rast se ju nuk shënoni të dhëna kontakti në formularin elektronik në portalin www.stopkorrupsionit.al, stafi përgjegjës nuk do të ketë mundësi t’ju njoftojë lidhur me trajtimin e denoncimit apo masat që do të merren si rezultat i denoncimit tuaj.

Nëse bëj denoncim, a do të duhet të përfshihem në procese të gjata ligjore?

Në rast të një denoncimi, i vetmi detyrim ligjor që mund të keni në të ardhmen, do të jetë të dëshmoni para organeve ligjzbatuese.

Ka rrezik të akuzohem për shpifje në rast se shënoj emrin tim?

Që të mund të përjashtojmë këtë rast, asnjë nga denoncimet ku shënohet emri i denoncuesit nuk do të publikohet në faqen elektronike. Por, nëse do të jetë e domsodoshme për verifikimin e denoncimit tuaj, ju duhet të jeni në gjendje të vërtetoni se keni pasur kontakt me nëpunësin, për të cilin po denonconi, dhe denoncimi juaj duhet të jetë i vërtetë.  

A jam në rrezik nëse po denoncoj “interesa të mëdha”?

Edhe pse, fatkeqësisht, korrupsioni është një fenomen i gjerë, shpesh interesat e ndryshme nuk janë të koordinuara mirë dhe nuk ka domosdoshmërisht rrezik për denoncuesin. Gjithsesi, nëse mendoni se keni prova të mjaftueshme për të provuar vërtetësinë e një denoncimi dhe mendoni se jeni në rrezik, duhet të kontaktoni prokurorinë, pasi mund të përfitoni nga ligji Nr.10 173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë” (ndryshuar me ligjin Nr.10 461, datë 13.9.2011)

A rrezikoj të akuzohem për korrupsion aktiv nëse kam dhënë rryshfet?

Po. Sipas Nenit 244 të Kodit Penal, “Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.”

Kam bërë një ankesë anonime, por ndërkohë dua të bëj një ankesë edhe me emrin tim. Mundem?

Po mundeni dhe madje e rekomandojmë. Ankesatanonime ndihmojnëvetëm nëmbledhjen estatistikavedhe nxjerrjen në pah tëproblemit tëkorrupsionit.Duke shënuar emrin dhe të dhënat e kontaktit, ju ndihmoni në mënyrë aktivepër eliminimin ekorrupsionit.

A do të bëhen publike të dhënat e denoncuesve dhe rastet e denoncuara në këtë portal?

Rasti që ju denonconi mund të bëhet publik, kurse emri dhe të dhënat tuaja personale nuk do të bëhen kurrë publike, pavarësisht nëse ju keni zgjedhur të bëni denoncim anonim apo keni shënuar të dhënat tuaja. Përpunimi dhe ruajtja e informacionit që mblidhet në këtë portal, do të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale

Si do të përdoren të dhënat që mblidhen përmes këtij portali për denoncime të akteve korruptive?

Të dhënat që mblidhen në këtë portal, do të shërbejnë për të verifikuar dhe për të marrë masa lidhur me aktin korruptiv që ju denonconi. Po ashtu, zyra e Kordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit do të përgatisë të dhëna statistikore në bazë të denoncimeve të mbledhura në këtë portal (vendet, shërbimet, etj., ku ka korrupsion). Ky informacion nuk lejon identifikimin tuaj.